Historiku i Qendrës Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë
Fillimet e komunitetit mysliman shqiptar në Lozanë (1985–1991)Në vitin 1985, komuniteti mysliman shqiptar në Lozanë nuk kishte ende një xhami të vetën. Praktikat fetare kryheshin në një xhami të përbashkët me komunitetin turk. Sipas Haxhi Xhemajl Hoxhës, gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, herë pas here shërbenin edhe imamë shqiptarë.
Ndër imamët e parë shqiptarë që shërbyen në këtë periudhë përmenden:
-
Shenasi ef. Kamberi nga Sllupçani (1985)
-
Hasan ef. Salihu nga Prizreni (1986–1990)
Nga viti 1991, si imam shërbeu Sabedin ef. Amedi nga Shkupi. Xhamia me imam shqiptar gjatë Ramazanit ndodhej fillimisht në Chavannes (1985–1987), ndërsa më pas në Renens (1988–1991).
Themelimi i xhamisë së parë shqiptare në Lozanë (1991)
Pas ndarjes nga komuniteti turk, në gjysmën e vitit 1991, komuniteti mysliman shqiptar në Lozanë dhe kantonin Vaud arriti të ketë xhaminë e vet. Adresa e parë e xhamisë ishte Rue de Central 3.
Themeluesit e xhamisë së parë shqiptare:
-
Z. Xhemajl Hoxha – Kosovë
-
Z. Ramadan Nebiu – Shkup
-
Z. Muzafer Bekiri – Gostivar/Tetovë
-
Z. Milazim Veseli – Preshevë
Kësaj nisme iu bashkuan edhe rreth 40 anëtarë të tjerë nga komuniteti shqiptar. Imami i parë ishte Sabedin ef. Amedi, i cili shërbeu për dy vjet.
Zhvillimi i xhamisë dhe shërbimi i imamëve (1993–2000)
Nga viti 1993 deri në vitin 1998, si imam shërbeu Abdullah ef. Thaçi, ndërsa më pas, për dy vjet radhazi, Halil ef. Kastrati.
Në këtë periudhë, xhamia u mbështet nga një numër i madh kontribuuesish dhe anëtarësh aktivë, duke arritur rreth 45 anëtarë të rregullt. Kjo fazë përfaqëson organizimin e parë serioz të komunitetit mysliman shqiptar në Lozanë dhe kantonin Vaud.
Ndarja e xhematit dhe krijimi i një xhamie të re (2000)
Me rritjen e numrit të xhematit, nevojën për hapësirë më të madhe dhe mospajtime rreth udhëheqjes, në vitin 2000 komuniteti u nda në dy pjesë. Një pjesë mbeti në xhaminë e vjetër, ndërsa shumica e anëtarëve dhe themeluesit nisën procedurat për hapjen e një xhamie të re shqiptare në Lozanë.
Themelimi i “Qendrës Islame Shqiptare” (2000)
Xhamia e re u hap zyrtarisht më 13 shtator 2000, me emrin “Qendra Islame Shqiptare”, e regjistruar si qendër kulturore sipas nenit 60 të Kodit Civil Zviceran.
-
Imami i parë: Halil ef. Kastrati
-
Imami i dytë: Abdullah ef. Thaçi (deri në vitin 2013)
-
Numri fillestar i anëtarëve: 60–65
Konsolidimi dhe rritja e qendrës (2013–sot)
Më 30 prill 2013, si imam i Qendrës Islame Shqiptare filloi shërbimin Fehmi ef. Abazi, i cili vazhdon të shërbejë edhe sot.
Nën udhëheqjen e tij dhe angazhimin e kryesisë dhe xhematit:
-
numri i anëtarëve u rrit në mbi 450
-
u zhvillua mësimi fetar dhe ai i gjuhës shqipe (70–80 nxënës)
-
u krijua grupi i grave
-
u forcua bashkëpunimi me institucionet komunale, kantonale dhe organet e sigurisë
Qendra u bë pjesë e rrjetit të xhamive shqiptare në Zvicër, nën ombrellën e Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës.
Njohja institucionale dhe roli në shoqëri
Për kontributin e saj në integrim, Zyra për Integrim në Lozanë përzgjodhi Fehmi ef. Abazin ndër 50 personalitete me ndikim, dhe më pas ndër 10 figurat më të rëndësishme në integrimin e komuniteteve.
Kjo përbënte një nder të madh për komunitetin shqiptar në Zvicër.
Emri aktual dhe veprimtaria sot
Pas një veprimtarie të gjerë fetare, kombëtare dhe kulturore, sot xhamia mban emrin:
Qendra Shqiptare për Integrim, Kulturë dhe Religjion në Lozanë
Aktivitetet e saj janë të njohura në mbarë Zvicrën.

Qendra Shqiptare për integrim, kulturë dhe religjion (cicra)
Chemin du Couchant 4
1022 Chavannes-près-Renens
Telefoni: +41 76 615 18 00
E-mail: info@cicra.ch
edukimi fetar
© Tous droits réservés à CICRA Lausanne | Création du site internet par Altin WEB